Kush jemi?

Historiku:

Shoqata Ryder Albania (SHRA), ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1993 në Tiranë dhe në vitin 1996 në Durrës, si një shërbim falas i asistencës në shtëpi (mjekësore, psikologjike dhe social ekonomike) për të sëmurë me kancer në fazë terminale dhe të moshuar me sëmundje kronike, me mbështetjen e Sue Ryder Care në Britaninë e Madhe.

Në vitin 2000, SHRA në bashkëpunim me aktorë të tjerë të fushës themeluan Shoqatën Shqiptare të Kujdesit Paliativ, si një shoqatë ombrellë për të advokuar dhe lobuar për integrimin e kujdesit paliativ në sistemin publik të kujdesit shëndetësor dhe mbrojtur të drejtat e pacientëve terminalë dhe familjarëve të tyre. 

Në vitet 2003 – 2008 SHRA, në partneritet me Sue Ryder UK, Sue Ryder Irlandë dhe Fondacionin “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” themeluan Hospisin e parë në vend, si një shërbim i specializuar me shtretër për pacientët terminalë.   

Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale) dhe organizata të tjera, që operojnë në fushën e kujdesit paliativ, SHRA ka kontribuar në hartimin e një sërë dokumentave të rëndësishëm për integrimin dhe zhvillimin e shërbimit paliativ në sistemin publik të kujdesit shëndetësor.

Disa nga arritjet kryesore janë: hartimi dhe miratimi i ligjit të kujdesit paliativ (2014) dhe aktet nënligjore, planet e veprimit të kujdesit paliativ, standardet e shërbimit, protokollet klinike, udhërrëfyesi për mënyrën e ofrimit të kujdesit, manuale trajnimit, botimi i disa teksteve në gjuhën shqipe për profesionistët dhe publikun e gjerë, etj.

Në periudhën 2014 – 2016, SHRA në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbështetjen e fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” është angazhuar dhe ka kontribuar në hapjen e njësive të kujdesit paliativ pranë 9 spitaleve rajonale.

SHRA ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve të shëndetit (mjekë, infermierë, punonjës socialë, psikologë) në fushën e kujdesit paliativ. Deri më sot janë trajnuar më shumë se 1.000 profesionistë, si në shërbimin parësor ashtu edhe në atë sekondar.

Nga viti 2018 dhe aktualisht me mbështetjen e “Hospices of Hope” në Britaninë e Madhe u bë i mundur zhvillimi dhe forcimi i shërbimit ekzistues si dhe zgjerimi i shërbimit ambulator për pacientët që vuajnë nga sëmundje kërcënuese për jetën dhe të moshuar me sëmundje kronike.

Për herë të parë, në vitin 2021, SHRA në partneritet me Bashkinë e Tiranës hodhën themelet e shërbimit në banesë për të moshuarit e vetmuar dhe në nevojë, shërbim i cili aktualisht po mbështetet nga fondet IPA të Komisionit Evropian.

Vizioni:

“Kujdesi që lehtëson jetën.”

Misioni:

“Misioni ynë është të rrisim cilësinë e jetës së pacientëve terminalë me kancer dhe të të moshuarve me sëmundje kronike, nëpërmjet ofrimit të një kujdesi cilësor shëndetësor dhe psikosocial, në banesë dhe në qendër, nga një staf i specializuar, i motivuar me vlera të larta profesionale dhe morale.”