6 Maj 2023 – Në një përpjekje të përbashkët për të ndihmuar ata që vuajnë nga kanceri dhe sëmundjet e pashërueshme në faza të avancuara, shoqata Ryder Albania organizoi eventin “Yoga në Natyrë”. Ky event ishte një kombinim i përkryer i shëndetit fizik dhe psikologjik për të përkrahur dhe inkurajuar ata në nevojë. Një kontribut i jashtëzakonshëm për organizimin e aktivitetit u dha nga Yoganda Studio me Anda Petanin, e cila prej vitesh zhvillon punën e saj pranë qendrës së yogës në Fier. Anda ka përvojë të gjatë në psikologji dhe njohuri të thella të yogës dhe meditimit. Ajo vjen me një pasuri të përvojës dhe njohurive të fituara gjatë studimeve pranë Universitetit të Tiranës dhe çertifikimit në Indi për praktikimin e yogës dhe meditimit. Puna e saj e përkushtuar për të ndihmuar individët në rrugën e shëndetit dhe mirëqenies është një burim frymëzimi.
Yoga dhe meditimi është një praktikë e njohur edhe nga mjekët për përfitimet e shumta që ofron. Përveç përfitimeve fizike që i sjell trupit, kjo praktikë ka një ndikim pozitiv në shëndetin mendor dhe emocional. Në këtë event të veçantë, pjesëmarrësit kishin mundësinë të përjetonin një seancë të relaksimit dhe harmonizimit të trupit dhe shpirtit nën udhëheqjen e ekspertes së yogës.
Të ardhurat e mbledhura nga ky aktivitet do të ndihmojnë shoqatën të vazhdojë të ofrojë shërbimin e kujdesit paliativ falas për ata që vuajnë nga kanceri në fazat e avancuara, në zonat e Tiranës dhe Durrësit. Ky event dëshmon fuqinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit për një qëllim të rëndësishëm dhe tregon se si një angazhim i përbashkët mund të sjellë ndikime të jashtëzakonshme pozitive në jetët e njerëzve që përballojnë sfida të vështira dhe kërkojnë ndihmë dhe përkrahje.
Shuma totale e mbledhur: 57.200 Lekë
Eventi u mundësua nga:
- YOGANDA studio (Anda Petani) ~ https://www.instagram.com/yoganda_studio/