Shoqata Ryder Albania, në bashkëpunim me NjVKSh Durrës përmbylli me sukses serinë e trajnimeve me temë: “Qasje Holistike në Kujdesin Paliativ: Nga Teoria në Praktikë”, zhvilluar në Durrës, në datat 22 shtator – 3 tetor 2025.
Trajnimet u zhvilluan në sallën qendrore të Këshillit të Qarkut Durrës, duke përfshirë profesionistët e 18 qendrave shëndetësore të kujdesit parësor nën juridiksionin e NjVKSh Durrës.
Në këto sesione morën pjesë 641 profesionistë, mjekë, infermierë, psikologë dhe punonjës socialë, të cilët u angazhuan aktivisht në diskutime, raste praktike dhe ushtrime interaktive mbi mënyrën se si të ofrojnë kujdes gjithëpërfshirës dhe me ndjeshmëri njerëzore ndaj pacientëve me sëmundje kronike apo kërcënuese për jetën.
Gjatë trajnimit u theksua rëndësia e qasjes holistike, që përfshin aspektet fizike, psikologjike, sociale dhe shpirtërore të kujdesit për pacientin dhe familjen. Pjesëmarrësit u njohën me standardet ligjore dhe klinike të kujdesit paliativ në Shqipëri, si dhe me rolin e ekipeve multidisiplinare në sigurimin e cilësisë së jetës së pacientit.
Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e kapaciteteve të stafit shëndetësor lokal, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përmirësimin e shërbimeve të kujdesit paliativ dhe afatgjatë në komunitet.
Shoqata Ryder Albania falënderon NjVKSh Durrës dhe Këshillin e Qarkut Durrës për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre në këtë proces profesionalizimi dhe humanizimi të kujdesit ndaj pacientit.
Mirënjohës për Hospices of Hope për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për të avancuar kujdesin paliativ në Shqipëri.
